Lajme

Aliu: Afër 353 mijë ndërtime janë pa leje, mbi 42 mijë në Komunën e Prishtinës

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu ka thënë se në Kosovë janë afër 353 mijë ndërtime pa leje.

Në një konferencë për media, Aliu tha se vetëm në Komunën e Prishtinës janë mbi 46 mijë ndërtime ilegale.

“Dua të përkujtoj që në regjistrimet e ndërtimeve pa leje në vendin tonë figurojnë rreth 352 mijë e 836 ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Vetëm Komuna e Prishtinës i ka mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Kjo nënkupton që nga stoku ekzistues i ndërtimeve, nënkupton që janë mbi 3/4 e ndërtimeve pa leje”, tha Aliu.

Ndërsa sot në mbledhjen e 100-të të Qeverisë së Kosovës, Aliu tha se si vendim ishte edhe votimi i plotësimit të projektligjit që parasheh trajtimin e ndërtimeve ilegale

“Vendim i rëndësishëm sot në mbledhje ishte edhe votimi për plotësimin e projektligjit numër “06L024” për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ky është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm meqë lidhet drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik në vend dhe në fushën e planifikimit hapësinor, lidhet drejtpërdrejtë me pronat e ndërtesave që posedohen sot në vend, çoftë ne pronësi private e çoftë ne pronësi publike të cilat për një kohë të gjatë janë ndërtu në mënyrë të jashtëligjshme, pra pa leje”.

Ministri i Mjedisit potencoi se janë duke përgatitur draftimin e planit hapësinor që është vazhdim i legalizimit të ndërtimeve pa leje.

“Jemi në përgatitje finale për draftimin e planit hapësinor të Kosovës të cilin kohë më parë e kemi kalu në Kuvendin e Kosovës. Duhet të përcillet trajtimi i ndërtimeve pa leje i cili është vazhdim i afatit kohorë për legalizim duke u bazuar edhe në ligjet e mëhershme”.

Megjithatë, Aliu tha se deri më tani, numri i aplikimeve ka qenë mjaftë i vogël, por jemi duke parë një tendencë në rritje gjatë muajve të fundit.

E për këtë, ministri tha se duhet të krijohen politika që mundësojnë një periudhë më afatgjatë për legalizim sepse banesa ilegale mund të quhen edhe ato që nuk kanë arritë ta bëjnë pranimin teknik.

/Shqip.com