Lajme Gjykata Speciale

Alija: Gjykata Speciale ta ketë parasysh edhe interesin e publikut

Amer Alija nga FDH
Amer Alija nga FDH

Amer Alija, koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë për mbikëqyrjen e gjykimeve të krimeve të luftës, në lidhje me procesin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që ka filluar nga tre prilli në Gjykatën Speciale në Hagë, ka thënë se, “nëse vazhdohet me këtë tempo të dëgjimit të dëshmitarëve ky proces do të zgjasë më shumë se është parashikuar”.

Tutje, ai ka thënë se kryesuesi i trupit gjykues duhet të kujdeset që ky gjykim të përfundohet brenda një kohe të arsyeshme.

40 orë të dëgjohet një dëshmitar, duhet të kufizohen mbrojtja dhe prokuroria në procedurat e tyre, pra ndonjëherë gjërat duhet të sqarohen më shpejtë dhe të mos ketë detaje shumë nëse të gjitha janë thënë më herët”, ka thënë Alija më emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini.

Ndërsa, se sa kjo gjykatë po e respekton parimin e publicitetit dhe transparencës me anë të seancave të mbyllura, Alija ka thënë se në këtë proces do të ketë shumë seanca private sepse ka dëshmitarë të mbrojtur dhe anonim, prandaj edhe trupi gjykues duhet të kujdeset që identiteti i tyre të mos shpaloset për publikun.

Palët në procedurë, mbrojtja, prokuroria, avokati kanë qasje të plotë në dëshminë e paredaktuar të dëshmitarit, ndërsa tek ne te monitoruesit vjen e redaktuar. Trupi gjykues duhet të ketë kujdes që të mos mbyllë tërësisht seancat, mbetet të shihet si do të veprojë gjykata me dëshmitarët tjerë, por duhet që kjo gjykatë të ketë parasysh edhe interesin e publikut”, ka vijuar ai.

Ai shpreson se për qindra dëshmitarët e tjerë në këtë proces seancat nuk do të jenë të mbyllura sikurse e para.

Rastet fillojnë me dëshmitarët për rastet që kërkojnë më shumë, palët mund të pajtohen që disa deklarata paraprake të dhëna nga dëshmitarët të miratohen si të lexuara. Nuk duhet të çuditemi nëse ka paraqitje të provave të reja, e kemi parë një kundërshtim të mbrojtjes së disa provave që ka paraqitur prokuroria, ne nuk mund të kuptojmë për çka bëhet fjalë, mund të jenë disa prej provave që lidhen me dëshmitarët”, ka thënë ai mes tjerash.

/Shqip.com