Lajme

Alibeaj me Santos: Shqetësim zbehja e reformave për anëtarësimin në BE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj zhvilloi këtë të mërkurë një takim me reporteren për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Alibeaj bën me dije se ndau me reporteren shqetësimin e PD për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, veçanërisht atë të reformës zgjedhore.

Alibeaj thekson se i paraqiti Santos dhe qëndrimet e PD-së në lidhje me reformën zgjedhore ku kërkohen të adresohen rekomandimet e OSBE-ODHIR.

Postimi i Alibeaj:

Sot pata kënaqësinë të prisja në një takim znj. Isabel Santos reportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Bashkë me znj. Santos ndamë shqetësimin për zbehjen e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e reformave të nevojshme për Integrimin Europian, duke u ndalur veçanërisht për Reformën Zgjedhore, e cila do të duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente, dhe të adresojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e ODHIR.

Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, e njoha znj. Santos mbi ecurinë, garancitë, transparencën, gjithëpërfshirjen e çdo fluksi politik brënda opozitës në mirëpërcaktimin e marrjes së vendimeve që ofronte mekanizmi i Komisionit, i kërkuar që para dy vitesh nga Partia Demokratike.

Po ashtu i shpreha, qëndrimet dhe propozimet konkrete të Partisë Demokratike të prezantuara që në Dhjetor 2022 e më pas në Nëntor 2023, nën formën e një projektligji të depozituar në Kuvend, ku adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi shitblerjen e votës, keqpërdorimit të mjeteve dhe burimeve publike në zgjedhje, etj., të shprehura në katër shtylla:

  • Votë për Diasporën;
  • Lista të Hapura;
  • Shqipëria një Zonë Zgjedhore;
  • Votim dhe Numërim Elektronik.

Ndava shqetësimin për mungesën e vullnetit politik të dëshmuar nga ana e maxhorancës socialiste për të çuar përpara Reformën Zgjedhore në frymën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, dhe theksova se çdo përpjekje për ta devijuar këtë proces me mjete informale, pa transparencë dhe jo gjithpërfshirëse dhe pa garanci institucionale, bie ndesh me interesin e qytetarëve shqiptarë.

Mbi të gjitha i shpreha Znj. Santos, qëndrimin e vendosur që Partia Demokratike ndan, në mënyrë të panegociueshme, mbi aleancën parimore me SHBA, BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK dhe luftës ndaj pandëshkueshmërisë e korrupsionit, dhe një Reformë Zgjedhore në interes të qytetarëve shqiptarë e cila do të duhet të përmbyllet me transparencë, me gjithëpërfshirje, në kohë, për t’iu siguruar të gjithë qytetarëve një proces zgjedhor me standarte reale, të lira e të ndershme si nje kusht për avancimin e procesit te integrimit te Shqipërisë në BE.

/Shqip.com