Albin Tahiri synon një vend në 15-shën më të mirë në Lojërat Olimpike

Skitari i Kosovës, Albin Tahiri, synon t’i përfundojë garat në mesin e 15-të më të mirëve në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Tahiri të enjten garon në kombinim alpin, disiplinë kjo që përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi.
Numri i garuesve është vetëm 27 sosh, shkaku i mungesës së skitarëve me norma olimpike në të dyja këto disiplina.
Tahiri të mërkurën ka zhvilluar përgatitjen e fundit, ndërsa fokusi i tij kryesor ka qenë te lëshimi.

Gara e tij me kohën tonë lokale do të fillojë në ora 3:30 në lëshim, ndërsa sllallomi fillon në ora 7:15 në mëngjes.
Para fillimit të Lojërave Olimpike, Tahiri kishte deklaruar që synon të hyjë në top 30-shen e më të mirëve në Pekini 2022, por pas paraqitjeve të mira qëllimet e tij janë rritur.
Skitari deri më tani ka përfunduar një garë në disiplinën e lëshimit në skijimin alpin.
Ai e përfundoi garën në vendin e 35-të nga 43 garues, me një kohë prej 1 minutë e 52.44 sekonda.
Kosova në këto Lojërat Olimpike po përfaqësohet edhe nga Kiana Kryeziu, e cila debutoi në disiplinën e sllallomit të madh në Pekini 2022.
17-vjeçarja është bërë vajza e parë që përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore./SHQIP.com
