Albin Tahiri do ta bartë i vetëm flamurin në Ceremoninë Hapëse të Lojërave Olimpike

Skitari Albin Tahiri do ta bartë i vetëm flamurin e Kosovës në Ceremoninë Hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.
Garuesja tjetër, Kiana Kryeziu, dhe trajneri, Agim Pupovci, nuk do të lejohet të marrin pjesë në ceremoni për shkak se dyshohet se mund të jenë infektuar me COVID-19.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se Pupovci ka rezultuar pozitiv në njërin nga testet për COVID-19, ndërsa Kryeziu përkundër se ka rezultuar negativ është konsideruar si kontakt i mundshëm.
“Pupovci ka rezultuar pozitiv në njërin nga testet e përditshme për COVID-19 dhe përkundër se është asimptomatik dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë, ai është duke ndjekur rregullat e karantinimit, edhe pse testet e fundit janë negative.
Sipas organizatorëve, Kryeziu, është konsideruar si kontakt i mundshëm me persona tjerë, për çka nuk i lejohet të marrë pjesë në ceremoni, edhe pse është duke stërvitur dhe rezultuar negativ në testet për COVID-19”.
Përveç Kosovës, shumë ekipe të tjera olimpike janë përgjysmuar ngjashëm.
Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore do të mbahet sot dhe garat do të zgjasin deri më 20 shkurt.
Kosova po merr pjesë për herë të parë me dy skitarë, Albin Tahiri e Kiana Kryeziu.