Albin Kurti i fton në takim veteranët e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti i ka ftuar në takim përfaqësuesit e veteranëve të Kosovës.
Kurti ka njoftuar se do të anulojë takimin e nesërm në Forumin e Prespës për të pritur në takim veteranët e UÇK-së të cilët po protestojnë për të kërkuar përfshirjen e tyre në ligjin për pagën minimale.
Ndërsa bëri thirrje që seanca e Kuvendit të vazhdoj.
“Prandaj po them që duhet të vazhdoj kjo seancë e unë po takohem përpara se të vijë në lexim të dytë. Kjo është çfarë po ofroj”, është shprehur Kurti.
Kreu i Qeverisë tha se dëshiron që veteranët të kenë kompensim më të lartë se paga minimale.
Ai tha se ky kompensim duhet të jetë për veteranët e vërtetë.
“Ne jemi që veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë kompensim mirënjohje, falënderim shumë më të lartë se paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre”, tha Kurti.
Kurti shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me organizatat e dalura nga lufta në mënyrë që të vijnë deri tek numri i vërtetë i veteraneve të UÇK-së.
“Por duhet të mbërrijmë të numri i vërtetë i tyre dhe për këtë unë jam vërtete shumë i interesuar dhe i gatshëm që të bashkëpunojë edhe me organizatat e dalura nga lufta në mënyre që të vijmë tek ai numri i vërtetë që neve na e shton dinjitetin dhe respektin po edhe të një kompensim më i lartë se paga minimale që mund të quhej respekt e dinjitet”.
Tutje, Kurti tha se paga minimale nuk mund të quhet respekt dhe dinjitet për veteranët.
Ligji për Pagën ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës duke e rritur atë në 264 euro bruto.
Në të nuk janë përfshirë kategoria e veteranëve, gjë për të cilën sot ata po protestojnë./Shqip.com