Albin Kurti fiton zgjedhjet parlamentare, Vetëvendosje merr rreth 50% të votave. Diferencë e madhe me PDK dhe LDK
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri në orët e hershme të mëngjesit janë numëruar 99,45 për qind e votave nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas të dhënave të përditësuara, kanë mbetur pa u numëruar edhe 14 kuti votimi.
Në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje! vazhdon të prijë me 49,28 për qind të votave, apo 430 mijë e 459 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20,99 për qind, respektivisht 183 mijë e 389 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e treta me 13,58 për qind, apo 118 mijë e 601 vota.
Pasojnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,68 për qind ose 49 mijë e 598 vota, Lista Serbe me 4,79 për qind apo 41 mijë e 823 vota, si dhe Nisma Socialdemokrate me 1,71 për qind, përkatësisht 14 mijë e 975 vota.
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas përditësimit të fundit në KQZ është 44.99 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor u zhvillua në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës ishin gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike që garuan në këto zgjedhje.
/Shqip.com