Kulturë

Albana Beqiri / Unë e di

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

UNË E DI

Unë e di:
jo, ti nuk ke shkue,
i strukun je aty diku
mes fjalëve të pathana
i heshtun si nji eremit.

Mbi zemrat tona që të pabinduna
ende rrahin
si nji andërr e hutueme dashunia
dremit.

E veshun krejt dimën e ngrin edhe kohën
n’ akullnaja kujtimesh hiç pa u tut
vetveten e end
dhimshëm thur e shthur dhimtën,
konkuron bindshëm dhe Penelopën,
ngatrrohet trishtimit pa gjet
askund vend
mandej si nji dallndyshe që paqejf
nis shtegtimin
e lodhun nga dimnat që ju ik
sa mundet
si me kenë natë fluturon qiellit
t’ mallit
e pret zgjimin,
por andrrash t’ kqija tretet, humbet
don me fluturue, po akulli se len.

Veshun krejt dimën
si thikë e mprehtë akulli
zemrës ngulet.

E fshehun mes dhimtash që s’ndalin
dremit, dremit e paqetë
e mandej flen…

/Shqip.com