Kulturë

Albana Beqiri / N’ditën e parë

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

N’DITËN E PARË

N’ditën e parë
Zoti u zgjue dhe krijoi dashninë
ne ende nuk kishim lindë,
por dashnia jonë, magjiplota dashni, po.
E madhe sa mijra universe të panjohuna
e mrekullueshme si dëshirat
që do lindnin ma pas,
e si gjithësia e paanë.

N’ditën e dytë
Zoti i zhytun në t’ martën e hutueme
dorëlëshuem krijoi fjalën
ne ende nuk kishim lindë
por fjalët që të magjepsun dashnie
kishim me ja thanë njani tjetrit, po.
T’mrekullueshme ishin
mbushun dashni që cak e kishte
ardhjen tonë.

N’ditën e tretë
Zoti hiç pa u mendue krijoi shpirtin
ne ende nuk kishim lindë
por shpirti i dashnisë sonë, po.
I bardhë si dritë e parajsës
krejt i bardhë,
si nji andërr që kishim me e pa
në të gjitha ditët që Zoti
do krijonte më pas.

N’ditën e katërt
Zoti vrapoi me e krijue Zemrën
ne ende nuk kishim lindë
por zemra e dashnisë sonë, po.
E enjte ish, kur u ngatërrue damarësh
zemra e pastër qelibar
brenda brinjësh lidhi qerpikët
u mblodh sa nji grusht e pelte dashnie
pikoi n’damar.

N’ditën e pestë
Zoti u trishtue e krijoi lotin
ne ende nuk kishim lindë,
por loti që kërkonte sytë e dashnisë, po.
Retë e fatit errësoheshin mbi të
tu dashtë me e përpi krejt
por ai i qashtër ish, si fëmijë i trembun
fshihej brenda zemrës
ujëvarë e prarume dëshirash me krye mbi re.

N’ditën e gjashtë
Zoti tue qeshë nga e para krijoi dashninë
ne ende nuk kishim lindë
por drita e praruame dashnisë sonë, po.
Para nesh miliona dëshira vrapuen
shpirtit e zemrës vluen si uji n’zjarr
vullkan që edhe andrrat i përflak bukur
n’përvlim të trazuem dëshirash
t’përhumbuna n’mall.

N’ditën e shtatë
Zoti qeshi sërish e na pa n’sy
ne ende nuk kishim lindë
brenda dashnisë ende ishim frymë…

/Shqip.com