Kulturë

Albana Beqiri / Koha fluturon ma shpejt se dëshirat tona

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

KOHA FLUTURON MA SHPEJT SE DËSHIRAT TONA

Koha fluturon ma shpejt se dëshirat tona,
ma shpejt se edhe andrrat që i hupëm rrugës
vjeshta e kuqlueme, bashkë me gjethet, na i rrëmben
edhe vitet
e ndihemi… ndihemi gjithmonë e ma të trishtuem
gjithmonë e ma të humbun…

Koha fluturon ma shpejt se dëshirat tona
mbrrijmë shpejt në moshën e prindërve tanë
e t’ thinjun si ata qeshim me andrrat e dikurshme.

Dashunia nis e na flet me gjuhën e trisht t’ kujtimeve
e t’ shkuemen e masim me ndërrime stinësh
e ardhmja na randon sa pesha e guximit,
e heshtun, jo e vrullshme.

Ne jena veç lodra në duert e fatit
na u desht kohë, por ma në fund e kuptuem
shohim avujt e dëshirave si ngjiten e treten pa gjurmë
qiellit

Gjithmonë e ma tepër prekim dhimtat, trishtimin
gjithmonë e ma tepër ndihemi të vetmuem

E prrallat që përmendsh i mësuem në fëmijni
na përqeshin t’përgazta me sytë e fmijës që kjan
brenda nesh
spektatorë të heshtun i kalojmë jetës përbri
shohim stinët si ndërrohen e ikin pa kthim
hije të vetvetes së dikurshme kemi harrue
si thuhet lamtumirë….

/Shqip.com