Kulturë

Albana Beqiri / Këshillë vedit

Albana Beqiri / Shkrimtare, poete, gazetare...
Albana Beqiri / Shkrimtare, poete, gazetare...

KËSHILLË VEDIT

Lëne dhimtën, inatin, mërzinë
idhnimin dhe gjithçka që munduese asht
lëni të tana aty në at shilarsin e kujtimeve
që ende vazhdon me u lkundë si pa krye
përtej dritares së zemrës, aty jashtë.

Lëni të tana dhe kapu pas andrrës
që ende fle e strukun diku aty matanë
mjegulla e humbjes e ka mbulue të tanën
por ti mos u tut, as mos u zmbraps
kapu pas saj si nji rrodhe që s’ shqitet
e banu ushtari i parë që veç me vështrim
e pushton kalanë.

Qeshu
e ditëve thithua nji nga nji nikotinën e trishtimit
si thith cigaret
ani pse e din mirë se të bajn dam
e mushkritë t’i shkatrrojnë si lamtumira
zemrën e coptueme
mos i fol vetmisë, në e bafsh mike
ajo t’lidh pas vedit e aty rropullive t’veta t’pshtjell
si kali n’lam
qiellit shfaqu kur askush nuk e pret
ndrij hijshëm si nji hanë e përgjysmueme.

Mos e ha vedin, boll dhimta t’ka kafshue
tinzisht
në netët e gata kur vetmia t’kish mundë
e malli t’brejke pa da
kujtoje vedin tjetër, at vedin e bukur që dikur
dashunonte marrzisht
dhe tue dashunu krejt dhimtat e tutat
i pat vra.

Lëne dhimtën, inatin, mërzinë
idhnimin e gjithçka tjetër që të ban
mos me ken ti
si flak gjithçka t’panevojshme
duhmën e ditëve mbushun mërzi e pezm
flake e mos u frikso
lëne andrrën çdo mëngjes të lindet
si nji diell i ri
diell i jetës tande bahu, as në muzg t’jetës
mos perëndo.

E n’mos u tutsh edhe kur asht krejt e pamundun
dashuno!

/Shqip.com