Akuzohet se vrau gruan e tij me 14 plumba, burri nga Prizreni kërkon dënim sa më të lehtë nga Gjykata

I pandehuri, Bajram Velija, që po akuzohet që me 14 plumba e kishte vrarë bashkëshorten e tij në gusht të vitit 2019, kërkoi nga gjykata një dënim sa më të lehtë, pasi që vrasjen e ka kryer pa dashje, përcjell Shqip.com.
Këtë ai e ka kërkuar në seancën e së mërkurës që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prizren, ku u dha fjala përfundimtare, raporton Betimi për Drejtësi.
Prokurorja e këtij rasti, Ervehe Gashi, ka deklaruar se në veprimet e të akuzuarit ka ekzistuar dashja direkte, duke thënë se i njëjti kishte pasur vendosmëri për kryerje të veprës penale.

Gashi kërkoi nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet dënim maksimal, i paraparë me dispozitat ligjore.
Këtë e ka mbështetur edhe avokati i palës së dëmtuar, Arianit Kosvi, i cili tha se ky rast është më i rëndi nga paslufta në Kosovë, pasi që vrasja është kryer në mënyrë të rëndë dhe brutale.
Koci tha se dënimi për të akuzuarin duhet të jetë me burgim të përjetshëm dhe të shërbejë si mësim për gjithë shoqërinë, që raste tjera të tilla mos të përsëriten.
Kurse, avokati i të akuzuarit, Orhan Rekathati, u shpreh se i mbrojturi i tij nuk e ka vrarë me dashje bashkëshorten e tij, por për kërë shkak kishin qenë mosmarrëveshjet verbale mes tyre.
Sipas avokatit, nga provat në këtë çështje penale, në veprimet e të akuzuarit nuk vërehet se ka pasur motiv të parapërgatitjes së veprës penale, e këtë tha se e kanë vërtetuar edhe deklarimet e dëshmitarëve.
Ndërkaq, vet i akuzuari Velija tha se nuk ka pasur mosmarrëveshje me tani të ndjerën, por se kanë pasur jetë të mirë.
Ai i kërkoi falje të gjithë familjarëve dhe vajzave, duke shtuar se asgjë s’kishte pasur të planifikuar në këtë rast, por se në ato momente ndaj tij kishte pasur fjalë që ishin të papëlqyeshme dhe se nuk e di se çfarë kishte ndodhur me të atë ditë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.
Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm
I pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit 2019./Shqip.com