Lajme

Akuzat/ Ekstradohet nga Franca i shumëkërkuari Behar Bajri, policia nxjerr pamjet

Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë Behar Bajri. Ai i u arrestua në muajin shtator të këtij viti, falë shkëmbimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e tij.

43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Policia ka publikuar edhe pamjet nga momenti kur Bajri mbërrin në aeroportin e Rinasit i shoqëruar nga efektivët e INTERPOL dhe nën masa të rrepta sigurie iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Mbi Behar Bajrin rëndojnë akuza të rënda si vrasje me paramendim, grup i strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje apo dhe korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Akuzat ndaj Bajrit
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.

Shtetasi Behar Bajri dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gjin Boriçi Ndoj, më datë 09.08.2020, në Shkodër. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi B. B., kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka bërë të mundur lirimin nga burgu, para kohe.

Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

/Shqip.com