Kulturë Kino

Aktori i njohur amerikan viziton muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë (VIDEO)

Aktori i njohur amerikan, Danny Glover
Aktori i njohur amerikan, Danny Glover

Aktori dhe producenti i njohur amerikan, Danny Glover, ka vizituar ditën e sotme Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Lajmi u bë me dije nga Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë me anë të një videoje të postuar në faqen zyrtare në Facebook.

Bëhet e ditur se, Glover pasi ka vizituar muzeun ka parë edhe filmin e Skënderbeut i cili transmetohet në muze. Ai u shpreh i mahnitur nga historia e heroit kombëtar të shqiptarëve.

Ka qenë bashkia Tiranë që i ka dërguar një ftesë producentit të njohur i cili e ka pranuar me kënaqësi për të mësuar më shumë mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe historinë e Shqipërisë.

Ndryshe, Glover ka pasur një sërë rolesh në filma, skenë dhe televizion, dhe është më i njohur për rolin e rreshterit të policisë së Los Anxhelosit Roger Murtaugh në serinë e filmave aksion “Lethal Weapon”, duke luajtur së bashku me Mel Gibson dhe Joe Pesci. Më vonë ai luajti edhe një herë me Gary Busey në filmin e suksesshëm Predator 2.

/Shqip.com