Kulturë Kino

Aktori Alec Baldwin nën akuzë për vrasje nga pakujdesia

Autoritetet njoftuan të enjten se do të ngrejnë akuza ndaj aktorit Alec Baldwin dhe një specialisteje armësh, për vrasjen nga pakujdesia të një kineasteje në sheshin e xhirimit të një filmi në shtetin e Nju Meksikos. Prokurorët thanë se rasti ishte tregues i mospërfilljes së rregullave të sigurisë.

Prokurorja e qarkut të Santa Fe-së Mary Carmack-Altwies, lëshoi një deklaratë duke njoftuar akuzat kundër Baldwin dhe Hannah Gutierrez Reed, e cila ishte ngarkuar me detyrën për të mbikëqyrur armët e zjarrit që do të përdoreshin në filmin “Rust”.

Halyna Hutchins vdiq pak pasi u qëllua me armë, gjatë xhirimeve të filmit, në një fermë në periferi të Santa Fesë më 21 tetor 2021. Gjatë incidentit u plagos edhe regjisori Joel Souza.

Alec Baldwin flet për momentin kur vrau aksidentalisht regjisoren gjatë xhirimeve

Ndihmës regjisori David Halls, i cili i kishte dhënë armën Baldwin në sheshin e xhirimit, ka nënshkruar një marrëveshje me prokurorinë për të pranuar fajësinë, për përdorim të pakujdesshëm të armës së zjarrit.

Vrasje nga pakujdesia konsiderohet ajo vrasje që ndodh ndërsa i pandehuri bën diçka të rrezikshme që konsiderohet e ligjshme, por duke vepruar me neglizhencë ose pa patur fare kujdes.

Ky krim dënohet deri në 18 muaj burg dhe me 5000 dollarë gjobë sipas ligjit të Nju Meksikos. Por ligji parashikon gjithashtu dhe një dispozitë që mund të rezultojë në dënimin e detyrueshëm me pesë vjet burg, për shkak se vepra penale, është kryer me armë zjarri.

Prokurorja Carmack-Altwies tha se akuzat do të ngrihen rreth fundit të janarit dhe se për Baldwin dhe Gutierrez Reed do të lëshohet një thirrje për t’u paraqitur në gjykatë. Ajo tha se prokurorët do të heqin dorë nga një juri e madhe e do të mbështeten tek një gjyqtar për të përcaktuar nëse ka arsye për të zhvilluar një proces gjyqësor. /VOA

/Shqip.com