Lajme

Aktivistja për të drejtat e njeriut hedh dyshime mbi kërkesën për marrjen me qira të qelive nga Danimarka

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Maryam Alkhawaja

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Maryam Alkhawaja, ka ngritur dyshime mbi kërkesën e Danimarkës për të marrë me qira 300 qeli nga burgjet e Kosovës.

Sipas saj, një kërkesë e tillë nuk është bërë për shkak të mungesës së hapësirës në Danimarkë.

Përmes një cicërime në Twitter, Alkhawaja ka thënë se duhet të ketë një arsye pse po bëhet një kërkesë e tillë.

Tutje, ka pyetur nëse do të respektohen ligjet e implementuara në Danimarkë edhe për ata të burgosur të Danimarkës në Kosovë.

“Nuk është shkaku i mungesës së hapësirës në Danimarkë që qeveria dëshiron të marrë me qira hapësirë për 300 të burgosur në Kosovë, pra pyetja që duhet të bëhet është pse?”.

“Dhe, nëse do të respektohen rregullat, të drejtat dhe ligjet që implementohen në Danimarkë edhe për ata në Kosovë?”, ka shkruar ajo.

Kosova dhe Danimarka së shpejti pritet të nënshkruajnë marrëveshje, ku kjo e fundit merr me qira 300 qeli burgu në Kosovë. Për këtë çështje është raportuar në mediat ndërkombëtare prestigjioze si The Guardian, por nga Ministria e Drejtësisë ende nuk kanë dalë me një sqarim./SHQIP.com