Lajme

Aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të QKUK-së

Emergjenca - QKUK

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër tre zyrtarëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ata dyshohen për mashtrim prej më shumë se 100 mijë eurove.

Personat e arrestuar janë F.H., L.J. dhe Y.K. Ata po akuzohen për keqpërdorim të detyrës.

Sipas aktakuzës, në dhjetor të 2020-s, në cilësinë e zyrtarëve të departamentit të teknologjisë informative (IT), kishin nënshkruar një raport fiktiv që ishte në kundërshtim me gjendjen faktite, duke i shkaktuar dëm material QKUK-së në shumë prej gati 105 mijë eurove.

Ata dyshohet se kishin nënshkruar kontratën si punë të kryer, por në fakt s’i kishin kryer instalimet e kamerave, siç ishte paraparë, në kuadër të tenderit për furnizim dhe monitorim të sistemit të integruar me kamera, me kompaninë “Artech”.

Prokurori ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtor dhe pos dënimit për veprën penale t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues për ndalim të ushtrimit të detyrave në administratën publike./Shqip.com