Lajme

Aktakuzë ndaj katër personave në Kllokot, dyshohen për ryshfet në zgjedhjet lokale

Prokuroria Themelore në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve, M.K., A.D., A.T., dhe Xh.B., pasi që dyshohet se kanë kryer veprat penale “cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, përcjell Shqip.com.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, M.K., dhe A.D., më 16 tetor, rreth orës 18:30 në Kllokot kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të votuesit – tani i pandehur, Xh.B., në këmbim të votave.

Ilustrim.

Kurse, i pandehuri, A.T., i ka dhënë para në shumë prej 200 eurosh të pandehurit Xh.B., me qëllim që i njëjti të siguronte 10 vota për kandidatët për kryetar të komunës së Kllokotit.

“Në këtë mënyrë, të pandehurit M.K. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, të KPRK-së. Me këto veprime, i pandehuri A.T., ka kryer veprën penale ’Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’, të KPRK-së.

Gjithashtu edhe i pandehuri Xh.B, akuzohet për veprën penale ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’, pasi ka pranuar para në vlerë prej 200 €, nga i pandehuri A.T”, thuhet në njoftim./SHQIP.com