Lajme

Aktakuzë ndaj katër personave, kryen gjashtë vepra penale

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: N.K., I.F., K.G., dhe të pandehurës A.K.

Kjo aktakuzë është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer  veprat penale: “Fajdeja” nga neni 331,  “Detyrimi” nga neni 328, “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe “Mashtrimi” nga neni 323, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.K., prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim e deri në ditën e arrestimit, pranon një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, e duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të atij personi, në atë mënyrë që fillimisht e ndihmon të dëmtuarin M.B., nga fshati Zhur- Komuna e Prizrenit, që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike. Pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej gjashtëmijë (6.000) eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare, nga ku pas autorizimit muaj për muaj deri në ditën e arrestimit ka tërhequr mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej gjashtëdhjetë e tremijë e tetëqind e tetëdhjetë e tetë euro e dyzet cent (63,888.40) euro. Me këto veprime, i pandehuri N.K., ka  kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.

I pandehuri N.K po ashtu akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrim” dhe “Dhënie e Ryshfetit”.

 Ndërkaq, i pandehuri I.F., në cilësinë e personit zyrtar – hetues i Njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, pranon dhuratë për vete dhe personin tjetër, në mënyrë që ka vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që pranon nga i pandehuri N.K., dhuratë dy veturat e lartpërmendura. Me këto veprime, i pandehuri I.F., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit “sipas KPRK-së.

 Ndërsa, i pandehuri K.G., me datë 09.08.2020 në orën 08:04 minuta, në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij dhe me dashje e shkel ligjin lidhur me detyrat e tij zyrtare dhe me dashje nuk e kryen detyrën e tij të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin N.K., i mundëson drejtuesit të automjetit “Peugeot” me targa gjermane, kalimin e kufirit, edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me  automjet. Me këto veprime, i pandehuri K.G., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit A.K., dhe N.K., nga data 29.08.2020, e deri 09.12.2020 në Prizren, në bashkëveprim, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë të dëmtuarin M.B., në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri N.K., merret vesh me të pandehurën A.K., që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin M.B., dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep Autorizim të pandehurës A.K., që nga xhirollogaria e M.B., të transferoj mjete monetare si dhe të bëjë pagesa. E njëjta, ka transferuar dhe ka kryer pagesa në shumë totale prej katër mijë e treqind e nëntëdhjet e pesë (4,395.00) euro. Me këto veprime, në bashkëkryerje N.K. dhe A,K., kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.

/Shqip.com