Aksioni antidrog i Policisë në veri, reagon Sveçla

Sot gjatë ditës së diele, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion antidrogë në veri të Mitrovicës.
Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në vazhdën e luftës për parandalimin dhe luftimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, pas hetimeve intensive sot më 12.02.2023, në rajonin e Mitrovicës veri, është duke realizuar një operacion policor antidrogë, me mbështetjen edhe të njësive tjera relevante policore”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në njoftimin e PK-së përmenden edhe aksionet tjera të llojit të tillë në veri të Kosovës nga ana e PK-së ku kanë rezultuar me arrestim të personave të dyshuar, shpërbërje të grupeve kriminale.
Lidhur më këtë aksion ka ardhur edhe reagimi nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Sot Policia e Kosovës në kuadër të detyrave të saj në zbatim të ligjit, ka identifikuar dhe shkatërruar një laborator droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar pronari i këtij laboratori. Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij. Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vucic e Petkovic”, ka thënë Sveçla
Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar ka shtuar më tutje Sveçla.
/Shqip.com