Lajme

Aksion pas mesnate në Gjakovë – shoqërohen në polici 26 persona

Ilustrim

Policia e Kosovës të martën pas mesnate ka zhvilluar një aksion në Gjakovë, ku ka hasur në 26 persona të cilët po luanin lojëra të fatit.

Gjatë bastisjes dhe kontrollit në lokacion, policia ka gjetur një armë dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kanabis.

Sipas policisë, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë intervistuar.

Bazuar në ligjin në fuqi të gjithë të dyshuarve iu është shqiptuar nga një gjobë për mosrespektimin e orës policore.

“Në vendngjarje ka dalë edhe njësia e hetimeve ku është bërë konfiskimi e armës, sasisë së substancës narkotike dhe të gjitha provat dhe dëshmitë për aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori kujdestar ku me urdhër të tij, iniciohen tri vepra penale “Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm” “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” për hetime të mëtejme në procedurë të rregullt./SHQIP.com