Lajme

Aksion në nivel vendi i Policisë kundër kontrabandës së mallrave

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni është duke u zhvilluar në rajone si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut.

Në lidhje me aksionin ne Mitrovicën e Veriut , media në gjuhën serbe “Kosovo-online”, ka shkruar se “policia ka ndërhyrë në një farmaci”, madje raporton se “menjëherë serbët kanë nisur protestën”.

Shqip.com ka tentuar të marrë përgjigje në Policinë e Kosovës, por s’kishin qasje.

Mirëpo, sipas njoftimit të Policisë për media “të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente”.

Aksioni i sotëm i Policisë kundër kontrabandës së mallrave.

“Me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në kumtesë.

Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.

Deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”. /Shqip.com

Aksion i Policisë kundër kontrabandës së mallrave.