Lajme

Aksion i madh i antidrogës në Prishtinë, konfiskohen kokainë, marihuanë e ekstazi

Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia e Antidrogës ka pranuar informacione që i dyshuari L.H është duke u marrë me aktivitete të kundërligjshme- shitblerje të substancave narkotike të llojeve të ndryshme, kryesisht në rajonin e Prishtinës.

Lidhur me këtë, Policia dje ka realizuar një plan taktik policor, gjatë të cilit është arrestuar i dyshuari dhe gjatë bastisjeve atij i janë gjetur dhe konfiskuar kokainë, hashash, esktazi, marihuanë, disa qese plastike, para të gatshme dhe pajisje tjera.

“Pas një pune hetimore dhe operative gati njëmujore në teren, antidroga e PK-së, dje më datë 16.12.2023, rreth orës 20:00, ka realizuar një plan taktik policor, me ç ‘rast është ndaluar dhe arrestuar i dyshuari i lartcekur me iniciale dhe gjatë operacionit të bastisjeve në trup dhe lokacionet e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të ndryshme narkotike si: kokainë, ekstazi, hashash, marihuanë, disa qese plastike, para të gatshme, dhe pajisje tjera.”

I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu, dje rreth orës 21:30, Policia e Kosovës përmes veprimeve operacionale taktike ka identifikuar dhe arrestuar edhe dy persona të tjerë nën dyshimin për “posedim dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve” është konfiskuar një sasi e drogës, dy peshore digjitale, dhe një çantë me qindra lloje të ndryshme për paketim të narkotikëve, ndërsa të dyshuarit janë derguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

/Shqip.com