Lajme

Aksidenti ku vdiq 26-vjeçari / Prokuroria kërkon paraburgim për shoferen e veturës

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim ndaj shoferes që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në afërsi të objektit të MASHT-it, ku vdiq 26-vjeçari.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, për shkak të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik” (me fatalitet)”, ka thënë Ulaj.

Aksidenti me fatalitet ndodhi të hënën në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Në këtë aksident, sipas policisë, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet.

“Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 26.02.2024 – 12:50. E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

/Shqip.com