AKR gjen zëvendësuesin e Pacollit për kandidat për kryetar të Prishtinës

Aleanca Kosova e Re tashmë ka gjetur zëvendësuesin e Selim Pacollit sa i përket kandidaturës për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Pasi Pacollit nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet lokale të 17 shkurtit për shkak të mosdeklarimit në kohë të formularit të pasurisë, Gëzim Mehmeti do t’i hyjë kësaj gare nga AKR-ja.
Këtë për Gazetën Online Shqip.com e ka konfirmuar vetë Mehmeti.
Ai shkurtimisht pohoi se do të garojë për të parin e Prishtinës.
Paraprakisht për këtë foli edhe sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli.
“Gëzim Mehmeti do të jetë kandidati ynë për kryetar të Prishtinës”, ka thënë ai për redaksinë.
Mehmeti aktualisht mban një pozitë në këtë komunë, ai është drejtor i Infrastrukturës.
Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Këtë e ka konfirmuar vetë ai, duke thënë se ka ndodhur për shkak të një aktvendimi në vitin 2019, ku kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të mandatit.
“Sapo mora lajmin se KQZ nuk do ta certifikojë kandidaturën time për kryetar të Prishtinës. Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit)”, shkroi ai në Facebook.
Ndër të tjera, Pacolli bëri të ditur se kjo vonesë ishte bërë për shkaqe shëndetësore të tij, duke shtuar se do të vazhdojë të mbështesë AKR-në dhe kandidatët e listës për asamble. /Shqip.com