Lajme

AKP merr nën administrim një hotel në Veri të Kosovës, reagon ashpër Petkoviqi

Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë
Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë

Me rastin e marrjes së një hoteli në Banjskë nën administrim të AKP-së, i cili hotel është në pronësi shoqërore por se deri tani, duke marrë parasysh situatën në veri të Kosovës, AKP nuk ka pasur qasje në këtë pronë, nuk vonoi drejtori i të ashtuquajturës “zyre serbe për Kosovës”, Petar Petkoviq, me propagandën e tij armiqësore ndaj Kosovës.

Ai ka thënë “se pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit, me ndihmën e policisë, ka konfiskuar kompleksin “Rajska banja”, në këtë mënyrë Prishtina ka konfirmuar qëllimin e saj për pushtim të gjithanshëm të veriut të Kosovës dhe se Serbia nuk ka të drejtë që të ndihmojë popullin e tij në asnjë mënyrë”.

Petkoviq ka pretenduar se “ekstremistët politikë në Prishtinë kënaqen duke keqtrajtuar “popullin serb” në Kosovë”, dhe se “këtë u pëlqen veçanërisht ta bëjnë në festat tona të mëdha kombëtare dhe fetare”.

Ai gjithashtu ka pretenduar se “në këtë mënyrë serbëve u është thënë edhe një herë nga Prishtina se nuk kanë të drejtë në zhvillimin e komuniteteve të tyre lokale, as të drejtë për punë dhe sigurim social”.

“Përveç kësaj demonstrimi të forcës, edhe një herë janë sulmuar të drejtat kolektive të popullit serb, është shkelur edhe e drejta e pacenueshme e paprekshmërisë së pronës, sepse ekstremistët nga Prishtina edhe komunave edhe Kishës Ortodokse Serbe edhe individëve privatë në veri të “krahinës” tashmë në mënyrë të përditshme, pa kurrfarë kufizimi dhe nevojë për arsyetim, shkelin dhe vjedhin pasurinë në mënyrën më të pashpirt”, ka vazhduar me gjuhën e tij të urrejtjes Petkoviq.

Duke vazhduar me zbatimin e propagandës së shefit të tij kundër Kosovës, ai ka pretenduar se “edhe në këtë mënyrë Prishtina konfirmoi synimin e saj për okupim gjithëpërfshirës të veriut të Kosovës”.

“Kufijtë e pafytyrësisë dhe arrogancës së Kurtit dhe të banditëve e tij nuk ekzistojnë dhe është e qartë se aksioni i sotëm i Prishtinës në fshatin Banjskë është pjesë e planit për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”, ka përfunduar Petkoviq, duke premtuar “se për këtë do të ankohet te ndërkombëtarët”.

/Shqip.com