Lajme

AKP konfirmon marrjen nën administrim të “Agrokosova Holding”

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka konfirmuar se Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding (ish-NBI Suhareka) është vendosur nën administrimin direkt të tyre.

Me anë të një njoftimi, AKP-ja ka ftuar punëtorët aktual të ndërmarrjes të vazhdojnë punën me ata.

“Më datën 31 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, mori vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore ‘NBI Suhareka’)”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e  tërheqjes së aksioneve sot ka ekzekutuar vendosjen e ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish NBI Suhareka).

“Po ashtu, ftohen të gjithë bujqit të cilët kanë marrëdhënie kontraktuale me Agrokosovën të vazhdojnë punën. AKP zotohet se do të vazhdoj bashkëpunimin me qëllim të mbarëvajtjes së marrëdhënieve komerciale dhe zhvillimit ekonomik të komunës së Suharekës”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe gjatë aksionit të policisë është arrestuar edhe një kamerman. Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar këtë rast duke kërkuar lirimin e kamermanit, Albion Sahitaj.

“AGK-ja e dënon ashpër sjelljen joprofesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tij.  AGK-ja pret nga Policia e Kosovës që në vend se të pengojë, të mundësojë kushte për raportim të punëtorëve medial në ngjarje të tilla” thuhet në komunikatën e AGK-së. /SHQIP.com