“AKI ka pasur informacione të bollshme për diplomatët rusë që dëboi”

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, beson se Agjencia e Inteligjencës së Kosovës ka pasur informacione të mjaftueshme për dy diplomatët rusë që dëboi të premten.
Sipas tij, vendimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për shpalljen “non grata” të këtyre dy diplomatëve dëshmon se “institucionet tona të sigurisë janë në nivelin e detyrës”.
“Sigurisht se kjo ka një bazë, unë besoj se organet tona të sigurisë, në këtë rast AKI-ja, ka pasur informacione të bollshme për aktivitetin e diplomatit rus, i cili është përfshirë në aktivitete joligjore”.
“Ata kanë bërë punën e vet dhe AKI-ja ka bërë gjithashtu punën e vet, prandaj ky akt është për t’u përshëndetur dhe dëshmon se institucionet tona të sigurisë janë në nivelin e detyrës”, tha Kajtazi në Klan Kosova.

Ai më tej tregoi se si zakonisht ndodhin hetimet në raste të tilla.
“Pjesa më e madhe shpallen nongrata se kanë dashur të vjedhin informacion të karakterit sekret, politik ekonomik etj. Gjithashtu edhe të karakterit të spiunazhit”.
“Kjo është njëra prej mënyrave që ka zgjedh shërbimi ynë që ta administrojë, mund të jetë forma tjetër, që ai të mbahet në mbikqyrje, në mënyrë që ata mos të përhapin rrjetën e tyre”, shtoi Kajtazi.
Të premten, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpalli persona “non grata” dy diplomatë rusë. Sipas saj, aktivitetet e këtyre diplomatëve “ndikuan negativisht në sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues” në Kosovë./SHQIP.com