Lajme

Akademik Kullashi citon filozofin Nietzsche: Nuk e lejon as gjykatësin e as xhelatin ta prekë një grua shtatzënë

Për vrasjen e rëndë të gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare ka reaguar edhe akademik Muhamedin Kullashi.

Ai përmes një postimi në Facebook, citon filozofin gjerman Nietzsche tek vepra e tij “Agu i mëngjesit”, ku ai merret me aforizma mbi shtatzëninë në rrafshin e krijimtarisë shpirtërore.

“Në veprën e filozofit gjerman Nietzsche, “Agu i mëngjesit” (1881), në aforizmin 552 janë disa refleksione mbi shtatzëninë  në rrafshin e krijimtarisë shpirtërore, si mundësi e formësimit dhe lindje e një vepre letrare apo të një veprimi të mirëfilltë njerëzor. Ai njëherit e krahason këtë shtatzëni me atë të gruas, në rrafshin trupor, ku është ngjizur një jetë e re. Në të dyja rastet e ka parasysh gjithë kujdesin për atë që është ngjizur dhe që rritet, në zhvillim e sipër: “A ka gjendje më të shenjtë se ajo e shtatzënisë? Pyet Nietzsche, ka shkruar akademik Kullashi.

Tutje, sipas tij, “Ne tmerrohemi nga violenca jonë dhe nga vrazhdësia jonë, thuajse ato do të derdhnin mbi të panjohurin e dashur një pikë fatkeqësie në gotën e jetës së tij!”.

«Për atë  që rritet, që del në dritë, ne nuk kemi si ta përcaktojmë vlerën e tij e as çastin  e lindjes së tij ; shpresa sekrete  e shtatzënës është se ajo që rritet, është diçka më e madhe se ne».

“Që fekonditeti të realizohet me sukses, shtatzënia ka nevojë për qetësinë shpirtërore”, ka shkruar ai. E ka fjalën për gjithë kujdesin e brengën që duhet ta kemi për atë që është ngjizur, si mundësi e re, dhe që rritet.

Po sipas tij, kujdesin për lindjen e mundësive në rrafshin e krijimtarisë artistike apo shkencore Nietzsche e krahason me shtatzëninë e gruas, me kujdesin e saj që qenia që rritet brenda saj të zhvillohet në mënyrën më fatlume.

Krejt në fund, Kullashi ka shkruar se, në respektin tonë ndaj asaj që është ngjizur e që formësohet në gjendje të formësimit, shton Nietzsche do të duhej të jemi të përgjegjshëm së paku sa edhe «drejtësia tokësore e cila nuk e lejon të rrezikohet shtatzëna, nuk e lejon as gjykatësin e as xhelatin ta prekë një grua shtatzënë».

/Shqip.com