Kulturë

Akademik Ismajli për mbylljen e Akademisë Albanologjike: E palejueshme të rrezikohen institucionet shkencore

Akademiku i njohur, Rexhep Ismajli
Akademiku i njohur, Rexhep Ismajli

Akademiku i njohur, Rexhep Ismajli, ka dalë kundër mbylljes së Akademisë Albanologjike në Shqipëri pasi sipas tij nuk duhet të vihen në rrezik institucionet shkencore. Në një intervistë për News 24 ai foli edhe për tensionet ne veri të Kosovës.

Akademiku Rexhep Ismajli ka dalë kundër mbylljes së Akademisë Albanologjike në Shqipëri. Ai tha se për vendimin duhen pyetur ata që punojnë me albanologjinë.

“Nuk është e pranueshme as e lejueshme të rrezikohen institucionet shkencore, përkundrazi duhet të shtohen se kemi pak dhe Shqipëria ka detyrime në këtë drejtim. Rrethanat konkrete se di si do të organizohen, por ato duhet t’i gjykojnë studiuesit, veprimtarët që janë drejtpërdrejt në punë me albanologjinë në Shqipëri. Nuk është mirë të bëhet asgjë pa mirëkuptimin e tyre”, tha ai.

Sa i takon situatës së tensionuar në veri  të Kosovës, në komunat me shumicë serbe, akademiku me origjinë nga Presheva, tha se Kosova nuk është në gjendje të vendosë lirisht.

“Problemi me veriun e Kosovës është një problem që na ndjek që nga vitet 2000. Bëhet herë pas here aktual kur Serbia ka logjikën e saj. Forca të caktuara e përdorin herë pas here, duan të krijojnë tensione për të nxjerrë përfitimet e tyre në këtë drejtim. Kosova është në rrethanat që është, me vështrimin ndërkombëtar që ka, me praninë ndërkombëtare, jo çdo herë është në gjendje të vendosë kryesisht e lirë por në harmoni me bashkimin ndërkombëtar”, u shpreh Ismajli.

Sipas Ismajlit, me një shkathtësi më të madhe të menaxhimit të situatave, kjo do kalohet dhe do ndiqet nga stabilizimi i shtetit të Kosovës në të gjithë hapësirës, pasi serbët duhet të gëzojnë të drejtat pa u bërë pengesë.

/Shqip.com