Lajme

“Air Albania” nuk mjafton, Shqipëria do të ndërtojë stadium me 40 mijë vende

Shqipëria ka arritur suksese të mëdha në vitet e fundit në futboll. Kuqezinjtë janë kualifikuar dy herë në Kampionatin Europian të Futbollit. Triumfi i tyre i parë historik ishte në vitin 2016, ndërsa do të jetë edhe në Euro 2024, verën e ardhshme në Gjermani.

Këto arritje po shpërblehen me investime në infrastrukturën sportive. Pas investimit madhor që solli stadiumin “Air Albania” me 22 500 ulëse, një stadium modern, rikonstruksionit të “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçit” në Shkodër, Shqipëria po bëhet gati të ketë një stadium me 40 mijë vende.

Këtë e ka deklaruar kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli në një intervistë për “Pa Protokoll”. Sipas tij, stadiumi që do ndërtohet do jetë një ndër më të bukurit në Evropë.

“Bashkëpunimi mes qeverisë dhe ministrisë e federatës janë bërë gjithë këto stadiume. Por kur shikoj kur Shqipëria do shkonte në Maqedoni për të bërë ndeshjet sepse Qemal Stafa nuk kishte asnjë standart si stadium. Po të jap një lajm që shumë shpejt do shikosh një stadium 40 mijë vendesh në Tiranë që do jetë një ndër më të bukurit në Europë. 22 mijë është shumë pak prandaj do e bëjmë 40 mijë sa i Torinos”- u shpreh Ylli.

Megjithatë, deri në realizimin e kësaj vepre, Shqipëria do të luajë në “Air Albania” përpara 22 500 tifozëve të cilët për çdo ndeshje të kësaj faze kualifikuese kanë mbushur shkallët.

Por nga ana tjetër kërkesat për bileta kanë arritur shifra të çmendura. Në ndeshjet e fundit përballë Çekisë dhe Ishujve Faroe, kërkesat për bileta shkuan deri në 250 mijë, por që biletë arritën të sigurojnë vetëm 22 500 tifozë.

Të hënën kuqezinjtë luajnë përballë Ishujve Faroe, sërish në një stadium të tejmbushur. Kjo sfidë do të jetë festë për Shqipërinë pasi arriti të kualifikohej në Euro 2024 që në Moldavi falë pikës së marrë në barazimin 1:1.

/Shqip.com