Lajme

Ahmeti: Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti ka deklaruar se ka pasur një numër të ‘non paper’ të cilat Serbia i ka dërguar në Strasburg në kundërshtim të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por sipas tij, e njëjta e ka humbur këtë betejë.

Ahmeti thotë se Kosova ka siguruar mbështetjen në vota si dhe interpretimin ligjor që sqaron se nuk ka pengesa për shtetin në këtë drejtim.

“Mund të them me bindje të plotë që Serbia e ka humbur betejën në Këshillin e Evropës dhe një fakt për këtë është fakti që opinioni ligjor tregon që ne mund të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës dhe mbështetja është aty.

Ne kemi lobuar në disa rrafshe, qoftë diplomatik, qoftë politik, që ta sigurojmë mbështetjen në vota dhe ajo është, pra e kemi siguruar këtë mbështetje, është siguruar interpretimi sqarimi ligjor që nuk ka asnjë pengesë dhe kjo është betejë e humbur për Serbinë”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm për KP.

Ahmeti ka pohuar se Serbia gjithashtu nuk e ka ndalur as të ashtuquajturën fushatë të ç’njohjeve për Kosovën por shton se nuk ka arritur ndonjë rezultat.

Janë 30 shtete të cilave Serbia u ka kërkuar çnjohjen për Kosovën, e të cilat i ka identifikuar Qeveria e Kosovës që prej fazës së nënshkrimit të moratoriumit në Uashington. Por Ahmeti beson që numri është edhe më i madh.

/Shqip.com