Ahmeti për marrëveshjen: E njëjtë me atë të 2016-tës që VV-ja e quante tradhti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë të enjten në Bruksel.
Në një postim në Facebook, ka shkruar se është e njëjtë me atë që ishte nënshkruar mes dy vendeve më 14 shtator 2016, por që nga Lëvizja Vetëvendosje ishte quajtur atëherë tradhti.
“Marrëveshja gati se e njëjtë e vitit 2016, nga ata që është quajtur tradhti atëherë sot quhet fitore. E nga ata që është quajtur fitore atëherë sot quhet tradhti!”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Facebook.
Kosova dhe Serbia të enjten në Bruksel kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila do të hyjë në fuqi plotësisht me 4 tetor. Sipas kësaj marrëveshje, pronarët e veturave me targa të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ndërrojnë targat me të përkohshme, por t’i mbulojnë simbolet shtetërore me një letër ngjitëse.

Sipas marrëveshjes, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.
Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.
KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë./SHQIP.com