Lajme

Ahmeti: Lajmet nga tereni për zjarret e shumta fushore dhe pyjore janë alarmante

Zjarr

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka thënë se lajmet nga tereni për zjarret e shumta fushore dhe pyjore janë alarmante.

Ahmeti ka thënë se këto zjarre që në masë të madhe janë zjarrvënie të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia, po shkaktojnë dëme tepër të mëdha duke djegur mijëra hektarë me pyje.

“Organet e rendit në Kosovë, duhet të marrin masat e nevojshme, në mënyrë që të ndalohet kjo dukuri e zjarrvënieve të qëllimshme nga persona të papërgjegjshëm, dhe të njëjtit të marrin ndëshkimet e duhura ligjore”, ka thënë ai.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, inicimi i qëllimshëm i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm, është vepër penale dhe mund të sanksionohet edhe me burgim./Shqip.com