Lajme

Ahmeti: Kurti s’duhet të jetë kryeministër në këtë kohë nëse s’është i gatshëm të bëjë kompromise në dialog

Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti.

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është paraqitur në studio televizive pas gjashtë muajsh heshtje.

Ahmeti, që dikur ishte pjesë e Vetëvendosjes dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit ka folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai thë se në raste se Kurti nuk është i gatshëm të bëjë compromise në dialog, atëherë nuk duhet të jetë kryeministër në këtë kohë.

“Duhet ta kemi një marrëveshje se po na mban për qafe. Duhet të jetë lider dhe lideri bën kompromise. Po të dilte i sinqertë dhe të thoshte se ‘duhet të bëjmë kompromise, por mendoj se me mua do të kemi kompromise më të mira sesa me dikë tjetër’ edhe mund të flasim e vazhdojmë. Nëse vazhdon me thanë ‘unë jam i fortë që edhe Amerikës i bëj rezistencë’ e në anën tjetër i bën do kompromise palidhje, atëherë përveç që s’ka rezultate në jetën e njerëzve në cilësi as në arenën ndërkombëtare nuk do të ketë”.

“Nuk mundesh me pranu me shku në dialog e me thënë ‘nuk lëshoj pe për kurgjo’. Nëse nuk je i gatshëm për çfarëdo kompromisi dhe mendon që Kosova ka bërë, atëherë dil prej dialogut. Mendoj që [Albin Kurti] është i gatshëm. Me ndërkombëtarët ka qenë gjithmonë problem me Albin Kurtin që e kanë keqlexuar në plot gjëra, edhe atëherë kur ishte përkrahja me koalicionin në Qeverinë Kurti 1, mendoj që e kanë lexu që po ndryshon, sepse ka vënë kravatë dhe është në institucione e nuk është më njëjtë”, deklaroi ai në “Rubikon”.

Ai thotë se nëse presioni ndërkombëtar fillon të shtohet për çështjen e dialogut me Serbinë, atëherë edhe grupi parlamentar i Vetëvendosjes do të tkurret.

“Mendoj që është i gatshëm për kompromis, përndryshe mendoj që një nga një do t’i hiqet përkrahja edhe e deputetëve. Kur je në opozitë je ndryshe dhe mundesh me fol çka dush, derisa kur je në qeverisje mban përgjegjësi. Nëse ia nis me u shtu presioni dhe një nga një t’i heqin”, tha ai.

Ahmeti kishte fituar për herë të parë zgjedhjet lokale më 2013 dhe pastaj fitoi përsëri më 2017 si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pastaj ai kaloi në Partinë Socialdemokrate, subjekt ky që u formua nga disa anëtarë që dolën nga VV-ja.

Ndërsa, në zgjedhjet lokale që u mbajtën në tetor të 2021-tës Ahmeti zgjodhi të mos kandidojë për një mandat të tretë për kryetar të Komunës së Prishtinës./Shqip.com