Lajme

Ahmeti: Berishaj do të duhej të dorëhiqej, qytetarët ç’kyçen kur i dëgjojnë teoritë e opozitës

Shpend Ahmeti, ish-kryetari i Komunës së Prishtinës

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas dyshimit se ambasadori kosovar, Martin Berishaj është përfshirë në një skandal financiar.

Ahmeti ka thënë se “njolla në fanellën e bardhë shihet më shumë – kemi thënë shpesh në VV”.

“Nuk e di se a ka dorëzuar Martin Berishaj 600 mijë euro në Slloveni. Por që është njollë – është – qoftë edhe për deklarim të rrejshëm të pasurisë. Krahasimi me qeveritë e kaluara është si fanella e bardhë me atë me ngjyrë. Që kjo mos të bëhej kaq e madhe Berishaj do të duhej të dorëhiqej. Edhe në qoftë se është i pafajshëm, që ti hap rrugë hetimeve”, është shprehur Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se presidentja e kryeministri nuk kanë nevojë ta mbrojnë verbërisht, por vetëm të thirren në hetim e qartësim sepse sipas tij kështu edhe pastërtia do të ishte më e madhe.

“Teoritë e opozitës për një skemë ndërkombëtare energjetike janë zgjatim i tepërt – stretching it to far thojnë anglisht. Edhe po të jetë Berishaj “sekser” i Hamoviqit e Fazliqit, vështirë se është skemë e organizuar nga Albini. Prandaj edhe qytetarët e posaçërisht votuesit e qeverisë ç’kyçen kur dëgjojnë teori të tilla nga Abelardi et co”, ka thënë Ahmeti.

Ai është shprehur se opozita do të fitonte shumë më shumë pikë po të fokusohej në shkeljet ligjore në Kosovë nga Berishaj dhe me të drejtë në hetimin parlamentar për ngjarjet në energjetikë./Shqip.com