Lajme

Ahmeti: Asnjë kosovar nuk duhet të mbështesë këdo që e quan kryeministrin tonë fashist, edhe nëse e thotë një amerikan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Ish- kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social në Tëitter ka reaguar pas deklarave të Richard Grenell i cili e ka quajtur kryeministrin Kurti fashist.

Ahmeti ka thënë se asnjë kosovar nuk duhet të mbështesë këdo që e quan kryeministrin tonë fashist.

“Pavarësisht nëse (nuk) pajtohemi me kryeministrin për çështjet e politikës, asnjë kosovar nuk duhet të mbështesë këdo që e quan kryeministrin tonë fashist për përpjekjen për të vendosur reciprocitet, duke bërë pikërisht atë që Serbia u bën qytetarëve të Kosovës sa herë që hyjnë në Serbi. Edhe nëse e thotë një amerikan”, ka shkruar Ahmeti.

Sot gjatë ditës përmes një reagimi në Twitter, Grenell është shprehur se Kurti është një fashistë.

“Edhe një herë, kryeministri fashist i Kosovës, radikal i ekstremit të majtë dhe me përvojë, Albin Kurti, në mënyrë të njëanshme bën një lëvizje për të refuzuar targat dhe ID-të serbe në Kosovë. Budallaqe. Të pamatur. Dhe e panevojshme. Pse nuk është Jake Sullivan dhe Antony Blinken duke i thënë të ndalojë rrugët e tij fashiste?”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti dhe Grenell nuk pajtohen në mes vete. Edhe në të kaluarën ka pasur përplasje midis të dyve./Shqip.com