Lajme

Agron Kuçi jep dorëheqje nga Dega e AAK-së në Junik pas humbjes në zgjedhje

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Junik, Agron Kuçi

Agron Kuçi i cili për 12 vite ishte kryetar i Komunës së Junikut, ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 14 nëntor, pasi humbi balotazhin nga kundërkandidati i tij, Ruzhdi Shehu nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan Shqip.com.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kuçi ka thënë se humbja është përgjegjësi e tij dhe se jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Rezultati në zgjedhje, ekskluzivisht është përgjegjësi e imja dhe e askujt tjetër prandaj i vetëdijshëm për këtë, unë jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Degës së AAK- së, me qëllimin më të mirë që Dega të drejtohet nga një frymë e Re, e që jam i bindur se Degës sonë në Junik nuk i mungon, përkundrazi potenciali që e kemi ngritur bashkarisht është shumë i madh dhe qëndron në lartësinë e duhur”.

Më tutje, Kuçi shton se humbja erdhi pasi Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin bërë koalicion për ta mposhtur AAK-në në balotazh.

“Faleminderit që na besuat votën tuaj, duke na konfirmuar edhe kësaj radhe si partia e parë në Junik, përkundër rezultatit në balotazh, të kampit rival, që ishin tri parti në koalicion të përbashkët (LDK, VV dhe PDK) përballë nesh, si parti e vetme!”, ka shkruar Kuçi.

Ruzhdi Shehu, arriti të bëhet kryetar i Komunës së Junikut, pas numërimit të votave nga diaspora. Ai mori 50,61 për qind të votave, kurse Agron Kuçi, mori vetëm 49.39% të votave./Shqip.com