Sport Shqiptar

Agon Ramadani përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në futsall

Agon Ramadani është emëruar përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në futsall.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka pritur sot në takim Agon Ramadanin dhe Getart Hysenin, ish-lojtarë të futsallit. Ramadani dhe Hyseni ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre në futsall duke qenë pjesë e kampionatit vendor, e duke përfaqësuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare.

Pas një përvoje të gjatë në këtë sport, presidenti Ademi u ofroi hapësirë për të kontribuar edhe më tutje në futsall por tani duke qenë të përfshirë direkt me pozita zyrtare.

Falë kontributit të dhënë si ndihmës trajner në Përfaqësuesen A, i pari i FFK-së e emëroi Agon Ramadanin përzgjedhës të ri. Ai në këtë pozitë e pason Arben Simitçiun me të cilin kishin punuar bashkë tash e disa vite, ndërkaq Getart Hysenin e angazhoi si ndihmës trajner.

Presidenti Ademi ju uroi shumë suksese në detyrat e reja të dy ish-lojtarëve të futsallit dhe u kërkoi të punojnë me përkushtimin më të madh që Kosova të arrijë sa më shumë suksese.

Nga ana tjetër, dy të angazhuarit, falënderuan presidentin Ademi për besimin e dhënë dhe premtuan se nga përvoja dhe njohuritë e tyre, do të japin më të mirën për Kosovën.

/Shqip.com