Lajme

AGK kundërshton vendimin e Kuvendit që të kufizojë hapësirën për media

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka kundërshtuar vendimin e Kuvendit të Kosovës që kufizon hapësirën e punës për mediat në këtë institucion.

Sipas AGK-së, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, të cilët raportojnë nga Kuvendi, kanë njoftuar për një situatë të re të vështirësimeve në kryerjen e detyrave të tyre, pasi u është vendosur një shirit që u pamundëson të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve në punë.

AGK-ja ka vlerësuar se kjo masë e ndërmarrë nga Kuvendi është e papranueshme dhe dëmton rëndë raportimin profesional dhe të plotë nga Kuvendi i Kosovës.

Gjithashtu, AGK ka bërë një thirrje Kryesisë së Kuvendit për të marrë masa dhe veprime për të lehtësuar punën e gazetarëve në Kuvend.

“AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi. Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit. AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.

/Shqip.com