Lajme

AGK kritikon KFOR-in për mos ofrim të ndihmës ndaj mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se në komunën e Leposaviqit janë sulmuar fizikisht ekipe të medieve nga Prishtina, derisa po raportonin nga atje.

Por, sipas AGK-së, pos kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë lëndime edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani.

Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar.

“Sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe i ftojmë organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë. Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR-it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin.

/Shqip.com