Sport Shqiptar

AGK kërkon nga FFK transparencë për gazetarët rreth Kuvendit të nesërm

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar më gjashtë janar për mbajtjen e këtij Kuvendi, por prej atëherë FFK nuk ka lëshuar më asnjë njoftim në lidhje me këtë Kuvend.

Madje, kur ka mbetur më pak se një ditë nga mbajtja e këtij kuvendi, FFK-ja nuk e ka njoftuar më opinionin dhe mediat për orën apo vendin se ku do të mbahet nesër ky Kuvend.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një postimi i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të organizojë Kuvend të hapur për mediet dhe transparent.

“AGK-ja, i bën thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të organizojë Kuvend të hapur dhe transparent, në mënyrë që opinioni të jetë i informuar për vendimet e rëndësishme që do të merren në këtë Kuvend. Kjo bëhet akoma më e rëndësishme në kohën kur shtëpia më e madhe e futbollit në vend nuk e ka përfunduar ende procesin e licencimit. Në cilëndo rrethanë, FFK-ja, duhet të krijojë kushtet e nevojshme për raportimin profesional të medieve”, thuhej ndër tjera në njoftimin e AGK-së, shkruan Shqip.com.

/Shqip.com