Lajme

AGK-ja ndanë Çmimet Vjetore të Gazetarisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka organizuar ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Vjetore të Gazetarisë dhe ka shënuar 20-vjetorin e themelimit.

Çmimin për gazetarin e vitit e mori gazetarja e Grupit Koha Saranda Ramaj. TV storia më e mirë e vitit shkoi për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani. Storia e saj kishte të bënte me diskriminimet e fëmijëve rom në festën e Abetares në Pejë. Çmimi Kameramani më i mirë e morën dy kameramanët, Korab Basha dhe Burim Mejku nga portali “Telegrafi”. Këtë çmim, ata ia dedikuan ish-drejtorit menaxhues të këtij mediumi, Arlind Gjikolli – Gjikla. Storia më e mirë nga sporti i takoi Dardan Idrizit nga “TV Dukagjini”, thuhet në një njoftim për media.

E çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas i takoi Riola Morina dhe Medinë Dauti nga Instituti “QIKA”. Përderisa ueb storia më e mirë shkoi për Adelina Ahmeti nga “Kallxo.com” Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se liria e shprehjes në Kosovë është stabile, por që shpesh rastet e gazetarëve nuk trajtohen me kohë nga institucionet e drejtësisë.

“Gjithmonë falënderues për mbështetësit në këtë vit. Është gjithmonë mundësi për t’i nderuar gazetarët edhe rolin e gruas në avancimin socio-ekonomike. Pastaj edhe rolin e gazetarëve në mbulimin e sportit. AGK ka ftuar gazetarë nga e gjithë Kosova pa marrë parasysh komunitetin apo gjininë. Misioni ynë është vlerësimi i gazetarisë profesionale dhe që ta mbulojë një çështje me interes”, tha ai, teksa foli për sfidat e të bërit gazetari në Kosovë.

“Shpesh gazetarët shprehen të njollosur dhe trajtimi rasteve të tyre merr kohë dhe disa prej tyre nuk marrin trajtimin e duhur”, tha ai.“Kosova është ngritur për 17 vende sa i përket lirisë së shprehjes dhe pastaj kjo ka ndikuar në një notë pak pozitive. Liria e shprehjes në Kosovë ka mbetur stabile”, tha ai.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se AGK-ja ka rol të rëndësishëm në luftimin e dezinformatave. Por sipas tij, mediat përballen me sfida ngase varen nga donatorët, Qeveria dhe partitë politike sa i përket reklamimit.

“Dua ta përgëzoj AGK-në për 20-vjetorin e punës, keni një rol të rëndësishëm, sidomos në luftimin e dezinformatave. Dua të përmend edhe raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, ku për shumë vite mjedisi medial në Kosovë ka enë i gjallë dhe dinamik. Megjithatë mediat përballen me disa sfida që varen nga donatorët, Qeveria dhe partitë politike në kuptimin e reklamimit”, tha ai.

Vlora Tuzi shefe e zyrës së UN Womes në Kosovë, kërkoi më shumë përfshirje të grave në gazetari si vendimmarrëse.“Ngritja e kuotës gjinore që ju e bëni është e rëndësishme dhe partneriteti me AGK është me i rëndësishëm. Janë fushat specifike që ne si zyre i financojmë”.

“Ne kemi shumë gazetare të zonja dhe jam shumë krenare për këtë. Ne duhet të kemi më shumë gra në vendimmarrje në gazetari. Duhet më shumë gra në analiza të debateve politike e ekonomike”, tha ajo. Ambasadori gjerman i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pati fjalë të mëdha për AGK-në, të cilët kanë strehuar gazetarë nga Ukraina.

“Në demokraci mediet janë pushteti i katërt dhe ju i mbani në kontroll pushtetet dhe në këtë epokë të urrejtjes dhe dezinformimit, AGK ka një rol të rëndësishëm për të garantuar cilësi dhe jam i lumtur se mund të ju mbështesim”.

/Shqip.com