Lajme

AGK: E rrezikshme dhe e papranueshme gjuha e shefit të stafit të Osmanit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas deklaratave të sotme të shefit të stafit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Përmes një komunikatë për media, AGK thotë se gjuha e përdorur nga Vela është e papranueshme dhe shumë e rrezikshme.

“Jo për herë të parë, Blerim Vela – Shef i Stafit të Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, ka sulmuar mediat e Kosovës, pas raportimeve për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes. Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e mediave të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

AGK thotë se kjo gjuhë rrezikon ambientin e punës së gazetarëve të Kosovës.

“Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë. Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj mediave”.

Tutje, AGK i ka bërë thirrje presidentes, Vjosa Osmani që të ndalojë sulmet ndaj mediave nga kabineti i saj.

/Shqip.com