Lajme

Agjencia për Informim dhe Privatësi konfiskon kamerat ilegale në Komunën e Shtërpcës

Foto nga vendi i ngjarjes

Agjencia për Informim dhe Privatësi njofton se pas inspektimeve të bëra sipas planit të inspektimeve, në koordinim me Prokurorinë dhe Policinë e Republikës së Kosovës, ka larguar dhe konfiskuar sot kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në kundërshtim me kriteret ligjore në hapësirat publike të Komunës së Shtërpcës.

“Si përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia trajton të gjitha shkeljet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim të sigurimit të privatësisë së qytetarëve në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në njoftimin e AIP.

Në vitin 2022 Policia e Kosovës në një tjetër rast kishte bërë largimin e kamerave të sigurisë në Shtërpcë.

Në atë kohë  strukturat ilegale kishin menaxhuar  me kamerat e sigurisë duke monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi.

/Shqip.com