Lajme

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pagoi afër 1 milion euro për 29 gjedhe

Në vitin 2009, Policia e Kosovës kishte zënë 29 gjedhe të kontradanduara në Istog.

Për këtë, ato i ishin dorëzuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, institucion që bën kontrollimin e tyre.

Bazuar në kontratën e lidhur, ato ishin vendosur në stallën e një kompanie private, ‘Eurolona’, në fshatin Miradi të Epërme në Fushë Kosovë, pronar i së cilës është Milazim Berisha.

Të njëjtat, siç rëndom ndodhte me çdo kafshë tjetër, pronari i supozuar i së cilës gjendej në proces gjyqësor, do duhej të shiteshin në ankand publik.

Por, Gjykata e Istogut rreth 8 muaj pas, në shkurt të vitit 2010, kishte vendosur që të kalojnë në Agjencisë për Konfiskim të Pasurisë, për të cilën ishte miratuar vetëm legjislacioni mbi të cilin do të funksiononte por nuk ishte zgjedhur stafi.

Si rezultat, AUV nuk kishte ndërmarrë asgjë për tërheqjen e tyre nga kompania dhe vënien e komunikimit me gjykatën apo Ministrinë e Drejtësisë në kuadër të së cilës do të funksiononte agjencia.

Ato nuk u tërhoqën as kur përfundoi marrëveshja me kompaninë gjashtë muaj pas, saktësisht në fund të vitit 2009.

Si rezultat, u mbajtën aty deri në vitin 2015.

Kjo i kushtoi AUV-it 779 mijë e 776 euro.

Me arsyetimin se rasti i përketë udhëheqësve të kaluar, drejtuesit aktual të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës.

Derisa, në përgjigjen e dhënë me shkrim, nuk kanë një përgjigje të plotë për rrjedhjen e historisë.

Në fermën “Eurolona” me urdhrin e Policisë se Kosovë dhe nën mbikëqyrje të inspektorit veterinar të AUV me datën 25.11.2009 janë vendosur 29 krerë gjedhe të cilat kane qenë të kontrabanduara.

AUV ka pasur një kontratë e cila është lidhur me datën 04.06.2009 dhe ka qene e vlefshme deri në përfundim te vitit kalendarik 2009. Me një vendim të  Gjykatës komunale ne Istog jemi njoftuar  me datën  11.02.2010 ky rast   do te administrohet  nga  Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të konfiskuar në kuadër te Ministrisë së Drejtësisë dhe AUV nga ajo kohe  nuk  ka pasur në administrim këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

/Shqip.com