Sport Shqiptar

Ademi – mohon sulmin, thotë se ishte inskenim

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi

U raportua se ka sulmuar një zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Por, i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mohuar – të ketë bërë diçka të tillë.

Përmes një postimi në Facebook – Ademi ka thënë se lajmet që kanë qarkulluar sot – janë të pavërteta.

“Sot mediat raportuan me nguti dhe me tituj bombastik për kinse një ekses në FFK. Aty raportohet se, unë, si president i FFK-së, kinse e paskam sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.

Por, kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.

Çka ndodhi paraprakisht?

Në media të ndryshme – u tha se Ademi pati një konfrontim fizik me një zyrtar të Federatës.

Teksa – për Shqip.com – këtë e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, u tha në njoftimin e Policisë.

Ky incident ka ndodhur në prag të zgjedhjeve të FFK-s, të cilat janë paraparë të mbahen më gjashtë prill. /Shqip.com