Lajme

Afro 5 mijë gjoba për mosrespektim të masave anti-COVID’19 për 10 muaj

Mbyllja e një lokali.

Rreth dy e mijë e 800 gjoba për persona juridik dhe dy mijë e 200 për persona fizik janë shqiptuar gjatë 10 muajve të fundit për mosrespektim të masave anti-COVID, përcjell Shqip.com.

Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, tha se që nga fillimi i pandemisë kanë kryer një numër të madh të kontrolleve për rastet e shkeljeve të masave anti-COVID.

“Nga fillimi i periudhës së pandemisë e deri më tani me qindra mijëra kontroll që janë kryer në gjithë territorin e Kosovës dhe në të gjitha rastet kur ka pas shkelje të rregullave anti-Covid, sipas vendimeve në fuqi të Qeverisë gjithmonë Inspektorati ka shqiptuar masa ndëshkimore për të parandaluar përsëritjen e shkeljes.

Vetëm gjatë këtij viti që nga janari e deri në tetor janë shqiptuar rreth 2.800 gjoba për persona juridik, dhe janë shqiptuar rreth 2.200 gjoba për persona fizik”, tha ai për EO.

Sipas tij, AUV ka përgatitur planet për kontrolle gjatë festave të fundvitit, derisa shtoi se nuk do të kursejnë askënd që bënë shkelje të masave anti-COVID’19.

“Në planet tona operative të kontrollit të hartuara bashkë me Policinë e Kosovës, ne bashkë koordinojmë aktivitetet dhe varësisht prej situatës që paraqitet në teren ne shtojmë frekuencën e kontrollit nëpër lokacione të cilat mendojmë se mund të jenë shkelës të masave, dhe jemi mirë të përgatitur, kemi kapacitete të mjaftueshme, dhe i kemi përgatitur planet për kontrollet të cilat do të jenë në festat e fundvitit.

Ne iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat sipas vendimit në fuqi që është tani. Ne po ashtu kemi parapa që frekuenca e kontrollit do të rritet sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, dhe nuk do të kursejmë askënd që bënë shkelje të masave anti-Covid”, shtoi ai./SHQIP.com