Ekonomi

Afër 6 mijë aplikime për subvencionim të efiçiencës së energjisë, shumë kërkesa për kondicionerë

Ministria e Ekonomisë

Në fazën e parë të aplikimeve për subvencionim të masave të efiçiencës ka pasur numër të konsiderueshëm të kërkesave nga qytetarët.

Në një përgjigje me shkrim në Shqip.com nga Minsitria e Ekonomisë thuhet se ka kërkesa më së shumti për subvencionim me kondicionerë.

“Numri më i madh i qytetarëve kanë aplikuar për pajisjen pompë termike ajër-ajër – Inverter (kondicioner) pra 2656 qytetarë kanë aplikuar për këtë masë/pajisje”, thuhet në përgjigjen e ME-së.

Sipas ME-së, në fazën e parë të aplikimeve, kanë aplikuar afër gjashtë mijë persona.

“Në fazën e parë kanë aplikuar 5992 qytetarë për subvencionim të masave të efiçiencës, respektivisht blerjes së pajisjeve me efiçiencë të lartë”.

Subvencionimi me efiçiencë të energjisë parasheh një buxhetë të ndarë prej 6 milionë euro. Sipas ministrisë, kjo shumë është ndarë për secilën masë.

“Numri i aplikimeve për pajisjen përkatëse brenda vlerës prej 6 milionë euro të ndarë për këto subvencione përcakton edhe shumën për secilën masë. Pra vetëm me rastin e dismbursimit të të gjitha mjeteve për përfituesit do të dihet sa do të jetë vlera për secilën masë”.

Tutje, ME-ja njoftoi se thirrja për subvencinim të efiçiencës së energjisë për qytetarët ka qenë e dedikuar vetëm për ekonomitë familjare dhe jo bizneset.

Para disa javesh, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka prezantuar masat për subvencionimin e efiçiencës së energjisë për qytetarët.

Sipas Rizvanollit, nga këto masa do të përfitojnë rreth 10 mijë familje, e thekson se do të kursehen rreth 12 milionë euro.

“Nga sot kemi hapur thirrje për subvencionim për qytetarët në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen janë kaldarët me biomasë dru, peletë, briketë që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së invesimit apo 1200 euro, pompat termike që ulin 30% të konsumit të energjisë do të subvencionohen deri në 2 500 euro, kondicionerët efiçentë deri në 40% apo 400 euro, stufat indivudale efiçente me biomasë, dru, për familjet me skemë sociale me 90% apo 560 euro. Për të tjerët 70% apo 435”.

Rizvanolli shtoi se qytetarët do të mund të aplikojnë online në platformën eKosova.

Gjithashtu ajo tha se me këto masa synohet të ulet për 70% konsumi i energjisë elektrike nga familjet që do të subvencionohen.

/Shqip.com