Aderim i ri në LDK

Sot, gjatë ditës kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se një ekonomist iu është bashkuar këtij subjekti politik.
Sipas këtij njoftimi bëhet fjalë për ligjëruesin universitar dhe doktorantin e ekonomisë, Berat Rukiqin.
“Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Madje, Abdixhiku shpalosi edhe një biografi të shkurtër për veprimtarinë e Rukiqit,
“Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore”.
Tutje, Abdixhiku tha se LDK është e lumtur që – si adresë e vetme e njerëzve profesionistë – po shton radhët e veta secilën ditë.
/Shqip.com